SwiDin forum

Mirë se vini
 
PortaliForumPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Dashuria e Ebu Bekrit r.a.

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
culi
super moderator
super moderator


Numri i postimeve : 18
Points : 57
Join date : 05/01/2010

22032010
MesazhDashuria e Ebu Bekrit r.a.

Sahabët ishin myslimanët që patën fatin të jetonin në shoqërinë e Profetit (a.s). Ata të gjithë e donin shumë Profetin (a.s) dhe Allahu i zgjodhi për të ruajtur traditën e të dërguarit të Tij të dashur (a.s) dhe për ta përcjellë atë te myslimanët që do të vinin më pas.

Ebu Bekri (r.a) ishte sahabi më i ngushtë i Muhamedit (a.s). Ai (r.a) kishte dashuri të jashtëzakonshme për Profetin (a.s). Emri i tij ishte Abdullah, por kunja e tij ishte Ebu Bekër. Fizikisht ai ishte shumë i dobët dhe lëkura e tij ishte e bardhë.

Ebu Bekri (r.a) ishte më i shquari i sahabëve. Allahu i referohet Ebu Bekrit (r.a) si thani'asnein (i dyti nga të dy). Imam Razi e shpjegon thani'asnein kështu: "Ai ishte i dyti që filloi t'i ftojë njerëzit në Islam. Ebu Bekri (r.a) ishte i pranishëm në të gjitha betejat përkrah Profetit (a.s). Ai u urdhërua nga Profeti (a.s) që t'i printe njerëzit në namaz në mungesë të tij dhe u varros pranë Profetit (a.s) në Medine".

Shejh Mehmud Alusi shkruan në librin e tij Ruhul Ma'ni që para se të hynin në shpellën Theur, Ebu Bekri (r.a) i tha të dërguarit të Allahut (a.s): "Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën, mos hyr në këtë shpellë derisa ta kem kontrolluar atë më parë. Nëse ka ndonjë gjarpër apo akrep brenda shpellës, le të më kafshojë mua të parin."

Ebu Bekri (r.a) hyri në shpellë dhe kudo që shihte një vrimë, fuste dorën e tij brenda dhe e mbyllte me copa nga rrobat e tij. Meqenëse copa nuk i mjaftoi për t'i mbyllur të gjitha vrimat, ai e mbylli vrimën e fundit me thembrën e këmbës së tij.

Shejh Alama Alusi e komenton kështu këtë ngjarje në librin e tij: "Kishte një vrimë në shpellë dhe Ebu Bekri nga frika se mos kjo përbënte rrezik për Profetin (a.s), e mbylli duke vendosur këmbën e tij mbi të. Teksa Profeti (a.s) po flinte me kokën në gjunjët e Ebu Bekrit, një akrep e pickon Ebu Bekrin."

Nga dhimbja e madhe i rrodhën lotë padashur.

Shejh Alusi vazhdon: "Sytë e tij lotonin nga dhimbja, por ai nuk lëvizi sepse iu dhimbs ta zgjojë Profetin (a.s) nga gjumi".

I dërguari i Allahut (a.s) u zgjua kur ndjeu lotët që ranë mbi fytyrën e tij dhe e pyeti Ebu Bekrin (r.a) se çfarë kishte ngjarë. Ebu Bekri (r.a) i tregoi çfarë kishte ndodhur dhe i dërguari i Allahut (a.s) aplikoi pështymën e tij tek plaga, duke e mënjanuar kështu ndikimin e helmit.

Aq e madhe ishte dashuria e Ebu Bekrit (r.a) për Profetin (a.s).

Ebu Bekri (r.a) kishte qarë nga gëzimi kur Profeti (a.s) i kishte thënë se do të ishte shoqëruesi i tij gjatë emigrimit për në Medine. Tregon Aisheja: “Asnjëherë nuk kam besuar se dikush mund të qajë nga gëzimi, derisa pashë atë ditë Ebu Bekrin duke qarë nga gëzimi se do të migronte më të dërguarin e Allahut (a.s).”

Jo vetëm Ebu Bekri (r.a) por e gjithë familja e tij ishte në shërbim të Profetit (a.s). Abdullah ibnu Ebu Bekri i vizitonte natën dhe i njoftonte për ato që ndodhnin në Meke. Amir ibnu Fuhejre, bariu i Ebu Bekrit i kulloste delet andej nga kishte kaluar Profeti (a.s) me Ebu Bekrin (r.a) me qëllim që të mbulojë gjurmët e tyre. Esma bintu Ebu Bekr (r.a) u çonte ushqimin, kjo pasi ajo mund të largohej nga Meka pa rënë në sy, ndërsa gruaja e Ebu Bekrit (r.a) gatuante ushqimin.

Një ditë gjatë qëndrimit të tyre në shpellën Theur, i dërguari i Allahut (a.s) vuri re se Esmaja (r.a) ishte e shqetësuar dhe e pyeti se çfarë kishte ndodhur. Esmaja (r.a) u përgjigj: "O i dërguar i Allahut, dje, kur po kthehesha në shtëpi nga shpella, Ebu Xhehli më ballafaqoi dhe më tha: "Ti me siguri që e di se ku ndodhet profeti juaj." Unë ia ktheva: "Po, e di, por nuk do të tregoj." Ai më kërcënoi se do të më rrihte, por unë nuk pranova t'i tregoja, dhe ai më goditi me shuplakë në fytyrë dhe nga goditja u rrëzova dhe filloi të më rrjedhë gjak nga goja. U ngrita me lot në sy dhe i thashë: "Ebu Xhehl, ti mund edhe të më vrasësh, por unë asnjëherë nuk do të ta dorëzoj Muhamedin."

I dërguari i Allahut (a.s), i prekur nga fjalët e Esmasë (r.a) tha: "Çdo njëri që më ka bërë një të mirë, ia kam shpërblyer. Përveç Ebu Bekrin, të cilin nuk kam mundur ta shpërblej. Prandaj shpërblimin e tij, ia kam lënë në dorë Allahut."

Pasi qëndruan në shpellën Theur për tre ditë, i dërguari i Allahut (a.s) dhe Ebu Bekri (r.a) u nisën drejt qytetit të Medines. Profeti (a.s) vuri re se Ebu Bekri (r.a) gjatë rrugës, herë ecte pas Profetit (a.s), herë anash tij dhe herë të tjera para tij. Kur i dërguari i Allahut (a.s) e pyeti pse po vepronte në këtë mënyrë, Ebu Bekri (r.a) iu përgjigj: "O i dashur i Allahut, kam frikë se mos na është vënë dikush prapa dhe frikësohem se mos të vjen ndonjë shigjetë nga pas dhe dal dhe eci pas teje. Pastaj frikësohem se mos dikush na ka zënë pritë para dhe të godet nga para dhe filloj të eci para teje. Më pas frikësohem nga ndonjë shigjetë që mund të vijë anash dhe eci anash teje.” Ebu Bekri (r.a) e rrethonte Profetin e tij të dashur ashtu si flutura e natës i vjen përqark flakës.

Një ditë përgjatë rrugës për në Medine, të dy ndiheshin shumë të lodhur dhe të etur. Ebu Bekri (r.a) kishte me vete pak qumësht, të cilin preferoi t’ia japë të dërguarit të Allahut (a.s) ta pinte. Ebu Bekri buzëqeshi i gëzuar teksa Profeti (a.s) pinte qumështin. Tregon vetë Ebu Bekri mbi këtë rast dhe thotë: ”E piu Profeti (a.s) derisa mu hoq etja.”

Ky është një shembull i bukur i dashurisë së Ebu Bekrit (r.a) për Profetin (a.s). Zemra e tij gëzonte teksa i dërguari i Allahut (a.s) pinte, ndonëse ai vetë kishte shumë etje.

Kur mbërritën në Medine, të gjithë njerëzit vraponin drejt të dërguarit të Allahut (a.s) dhe Ebu Bekrit (r.a). Meqënëse shumica e tyre nuk e kishin parë ndonjëherë të dërguarin e Allahut (a.s), disa prej tyre vajtën dhe e rrethuan Ebu Bekrin (r.a), sepse Ebu Bekri i ngjante Profetit të tij të dashur (a.s) nga sjellja, ecja, mënyra e të folurit dhe veshja, duke e bërë të pamundur kështu dallimin midis realitetit dhe imitimit.

Ebu Bekri (r.a) hoqi mantelin e tij dhe filloi ti bëjë fresk shokut të tij të dashur (a.s). Vetëm atëherë arritën Medinasit të shohin dallimin ndërmjet tyre dhe u drejtuan nga Profeti (a.s).

Këto ngjarje tregojnë përkushtimin e plotë të Ebu Bekrit (r.a) ndaj Profetit (a.s).

Ibn Haxher el-Askalani përmend hadithin e mëposhtëm të të dërguarit të Allahut (a.s): "Pëlqej tre gjëra tek kjo botë: parfumin, gruan e devotshme dhe namazin që është kënaqësia e syve të mi."

Me të dëgjuar këto fjalë të Profetit (a.s), Ebu Bekri i tha: "O i dashur i Allahut, edhe unë tre gjëra pëlqej tek kjo botë: të qëndruarit pranë teje, shikimi i fytyrës tënde dhe harxhimi i pasurisë sime për ty."

Umer ibn Asi (r.a) transmeton: "I dërguari i Allahut (a.s) po falej me ne një ditë në Qaben e shenjtë, kur Utbe ibnu Meit e rrethoi Profetin (a.s) dhe filloi ta tërhiqte nga rrobat, në një kohë që dikush tjetër e shtynte. Ebu Bekri (r.a) i largoi ata nga Profeti (a.s) dhe u tha: 'A dëshironi të vrisni një njeri vetëm pse thotë se Allahu është Zoti i tij?'"

Kur i dëgjuan këto fjalë, kurejshët e lanë Profetin (a.s) dhe filluan të merren me Ebu Bekrin. Ata e goditën me sa fuqi kishin, derisa Ebu Bekri (r.a) u rrëzua pa ndjenja. E çuan në shtëpi Ebu Bekrin (r.a) ashtu të mbuluar me gjak. Fjalët e tij të para pasi u përmend ishin: “Çfarë i ndodhi të dërguarit të Allahut?” Ai nuk u qetësua derisa e çuan tek i dërguari i Allahut (a.s) dhe u sigurua që ai ishte mirë. Këtu kemi një shembull tjetër të bukur të dashurisë së madhe të Ebu Bekrit (r.a) për Profetin (a.s). Nga frika që kishte për gjendjen e të dërguarit të Allahut (a.s), Ebu Bekri (r.a) e harroi dhimbjen dhe gjendjen e tij.

Umer ibnul Hatabi (r.a) transmeton: "I dërguari i Allahut (a.s) na kërkoi të jepnim ç'të mundnim për hir të Allahut (me rastin e ekspeditës së Tabukut). Unë kisha shumë pasuri dhe mendova me vete se këtë herë do t'ia kaloja Ebu Bekrit (r.a) dhe i solla Profetit (a.s) gjysmën e pasurisë sime. I dërguari i Allahut (a.s) më pyeti: 'Çfarë u ke lënë familjes?' 'U kam lënë gjysmën e pasurisë o i dërguar i Zotit' ia ktheva. Pastaj erdhi Ebu Bekri (r.a), i cili derdhi në prehërin e Profetit (a.s) pasurinë e tij. Të njëjtës pyetje të Profetit (a.s) Ebu Bekri (r.a) iu përgjigj: ”U kam lënë Zotin dhe të dërguarin e Tij.”

Pasi dëgjoi këto fjalë Umeri tha: "Kurrë nuk do të mund t'ia kaloj Ebu Bekrit."

Në lidhje me këtë ngjarje, Alama Ikbal shkruajti për Ebu Bekr Es-Siddikun (të sinqertin): Flaka i mjafton fluturës së natës. Lulja i mjafton bletës.

I dashuri i Allahut mjafton për të përmbushur nevojat e Siddikut.

I dërguari i Allahut (a.s) një herë vuri re se rrobat e Ebu Bekrit (r.a) ishin vjetëruar shumë dhe i tha: "O Ebu Bekër, më parë ti jetoje një jetë luksoze." Ebu Bekri (r.a) i tha se e tërë jeta e kaluar me vuajtje ishte pak për hir të Allahut dhe të të dërguarit të Tij.

Ebu Bekri donte ta shpenzonte të gjithë pasurinë e tij në rrugën e Allahut, por e vuante shumë faktin që dora e tij qëndronte mbi atë që merrte dhe ky mendim e bënte atë të qante tërë natën. Ai iu lut Allahut që Profeti (a.s) ta shpenzonte pasurinë e tij si të vetën. Allahu e pranoi lutjen e tij. I dërguari i Allahut (a.s) e konsideronte pasurinë e Ebu Bekrit (r.a) njësoj si pasurinë e tij. Për të treguar rolin e madh që luajti pasuria e Ebu Bekrit, Profeti (a.s) tha:

“Nuk më ka bërë kurrë dobi një pasuri siç më ka bërë dobi pasuria e Ebu Bekrit.”

Kur Profeti (a.s) u sëmur para se të vdesë, ai urdhëroi që Ebu Bekri (r.a) t’i printe njerëzit në namaz. Një ditë para se të vdesë, i dërguari i Allahut (a.s) hyri në xhami teksa njerëzit faleshin. Ebu Bekri e ndjeu dhe deshi që të ngrihej, por Profeti (a.s) ia bëri me shenjë që të vazhdonte të printe namazin. Ebu Bekri (r.a) vazhdoi të falej në këmbë, kurse Profeti (a.s) i ulur në gjunjë. Kur përfunduan, Profeti (a.s) e pyeti Ebu Bekrin pse ishte ngritur dhe Ebu Bekri iu përgjigj: 'O i dërguar i Allahut, i biri i Ebu Kuhefës (babai i Ebu Bekrit) nuk është në gjendje të prijë namazin në praninë tënde."

Sahabët u gëzuan shumë me shpalljen e kaptinës En Nasr e cila paralajmëronte se njerëzit do të hynin ne Islam turma-turma. Kur i dëgjoi Ebu Bekri (a.s) ajetet e kësaj kaptine, filloi të qajë dhe tha: "këto fjalë janë lajmërim për vdekjen e Profetit (a.s), pasi është plotësuar mesazhi i tij."

I dërguari i Allahut (a.s) u gëzua shumë ditën e hyrjes në Mekë kur babai i Ebu Bekrit, Ebu Kuhefa, u bë mysliman. Ebu Bekri (r.a) kur e pa gëzimin e Profetit (a.s) filloi të qajë. Kur e pyetën për arsyen pse qante, Ebu Bekri (r.a) u tha: ”Do të doja që në vend të babait tim, të ishte Ebu Talibi, xhaxhai i Profetit (a.s), pasi kjo do e gëzonte të dërguarin e Allahut më shumë.”

Të gjithë u tronditën thellë kur morrën lajmin e vdekjes së Profetit (a.s). Umeri (r.a), kishte nxjerrë shpatën dhe thoshte: "Kush thotë se i dërguari i Zotit ka vdekur, do i pres kokën. Ai ka vajtur të takojë Zotin e tij dhe do të kthehet, ashtu siç shkonte Musai dhe kthehej.” Pasi morri lajmin e rëndë, Ebu Bekri (r.a) hyri në dhomën ku ishte Profeti (a.s) dhe e përqafoi atë fort. Duke e puthur në ballë thoshte: "Ah i dashuri im! Ah Profeti im!” Më pas duke shikuar fytyrën e Profetit (a.s) tha: "I bukur ke qenë i gjallë, i bukur je dhe i vdekur o i dërguar i Zotit.”

Ebu Bekri (r.a) e pyeti vajzën e tij Aishen (r.a) për veshjen me të cilin ishte varrosur i dërguari i Allahut (a.s) në mënyrë që dhe ai të mund të varrosej në të njëjtën veshje. Para se të vdiste, Ebu Bekri shprehi dëshirën që të varrosej pranë të dërguarit të Allahut (a.s). Ai (r.a) u varros në krah të shokut te tij, Profetit (a.s), ia vendosën kokën e tij paralel me supin e Profetit (a.s) duke qenë kështu shoku i pandarë i Profetit (a.s), si në jetë ashtu dhe në vdekje.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Share this post on: Excite BookmarksDiggRedditDel.icio.usGoogleLiveSlashdotNetscapeTechnoratiStumbleUponNewsvineFurlYahooSmarking

Dashuria e Ebu Bekrit r.a. :: Komentet

No Comment.
 

Dashuria e Ebu Bekrit r.a.

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 

Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
SwiDin forum :: Feja Islame :: Tregime Islame-
Kërce tek: